Kronikë e zezë

Pesë të akuzuar për bixhoz në Prizren dënohen me gjoba në vend të burgimit

Foto: Ilustrim
 

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarve H.K., P.B., Sh.K., K.K., S.K., për shkak se i ka gjetur fajtorë për veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“Me datë 21 prill 2020, në orët e mbrëmjes, në Prizren, në katin e dytë të një lokali, 5 të akuzuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizojnë dhe marrin pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, në atë mënyrë që gjatë kontrollit nga hetuesit Policor, të akuzuarit në katin e dytë kanë marrë pjesë në lojën bixhoz, të cilët në ato momente kanë tentuar t’i fshehin dëshmitë, mirëpo nga zyrtarët Policor është arritur të sigurohen provat siç janë: karta – letra (52 letra ngjyrë të kuqe; 96 letra ngjyrë të kuqe; dhe 54 pako me letra bixhozi të pahapura), me të cilat kanë luajtur të pandehurit; një pako metalike ngjyrë hiri me në të cilin gjendeshin figura të lojërave me ngjyra të ndryshme me të cilat luhet poker; një fletore me shifra të ndryshme në të cilën të akuzuarit kanë mbajtur evidencën e parave të fituara, respektivisht të humbura gjatë lojës së bixhozit, si dhe gjatë kontrollit në trupin e tyre, janë bastisur para kesh: nga i akuzuari P.B., 2,611.35 euro, i akuzuari H.K., 3,190.00 euro, i akuzuari T.K., 450,00 euro, S.K., 245,70 euro, i akuzuari K.K. 108,00 euro dhe i akuzuari Sh.K., 827,00 euro, të cilat para janë përdorur për lojën e bixhozit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.