Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj të pandehurve F.O., G.B. dhe I.V. të dyshuar për vrasjen e një 50-vjeçari në Gjilan.
B.V. 50-vjeçar nga Bujanovci u qëllua për vdekje të dielën rreth orës 19:45.
Dyshohet se tre të akuzuarit kanë shkuar me veturë “Audi A3” dhe janë ndal te një market, ku të armatosur kanë shkuar te një kafiteri ku ishte B.V. dhe kanë shtënë në drejtim të tij. 50-vjeçari ka vdekur si pasojë e plagëve.
“Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprat penale ‘’vrasja e rëndë’’ dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndërsa propozimin e mbrojtësve që të pandehurit të mbrohen në liri, Gjykata i refuzoi si të pabazuara, duke i konsideruar si të pamjaftueshme për këtë fazë të procedurës”, thuhet nga Gjykata.