Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F.M., pasi ai kishte kërcënuar një zyrtar policor.
Të martën në mesditë, F.M. për shkak të një problemi të mëhershëm që kishte pasur me zyrtarin policor e kishte kërcënuar atë duke i thënë se do t’ia thyejë nofullën dhe se “do t’i qes në tokë hajnat e shtetit”.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar masën e paraburgimit të domosdoshme duke marrë parasysh se i pandehuri F.M. edhe në të kaluarën ka qenë i akuzuar për pengim të personit zyrtar ndaj pikërisht të njëjtit të dëmtuar. Po ashtu F.M. në pesë raste është i dënuar me aktvendim të plotfuqishëm.
“Shihet se qëndrimi i të pandehurit në masën e paraburgimit është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë të procedurës penale, për zbatimin me sukses dhe efektiv të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.