Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e hershme të së martës në lagjen Arbëria në Prishtinë ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të rënda.
Siç është njoftuar arrestimi është bërë rreth orës 01:00, ndërsa i dyshuari kishte 22 urdhëresa aktive për vjedhje të rënda.
I dyshuari vazhdimisht kishte bërë përpjekje për të ikur nga policia edhe gjatë operacionit dhe madje edhe ka sulmuar zyrtarët policorë. Në ikje e sipër ai shkaktoi edhe aksident trafiku me lëndime.
“Tretman mjekësor pas gjithë ngjarjes u është ofruar 4 personave, qytetarit të lënduar në aksidentin e shkaktuar nga i dyshuari, dy zyrtarëve policorë si dhe personit të dyshuar. Personi i dyshuar, F. H. 32-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, pas arrestimit me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë. Përveç rasteve të iniciuara sot, sulm ndaj personit zyrtar dhe aksident trafiku me lëndime, ndaj të dyshuarit është zgjeruar hetimi edhe për raste të tjera, për të cilat ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti mund të jetë i implikuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.