Kronikë

Disa raste të sulmeve ndaj policëve në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit është raportuar për katër sulme ndaj zyrtarëve policorë. 

Në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar, pasi ai në mbrëmjen e të hënës, nuk kishte respektuar urdhrat dhe kishte sulmuar një zyrtar policor. Si viktima ashtu edhe i dyshuari kanë marrë tretman mjekësor, ndërsa rasti ka shkuar në procedurë të rregullt, është njoftuar në raportin e Policisë.

Në Ferizaj në mbrëmjen e të hënës, një i dyshuar kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë, pasi nuk kishte zbatuar urdhrat. Viktimat kanë pranuar tretman, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Suharekë ndërkohë po ashtu në mbrëmjen e djeshme, një i dyshuar ka fyer dhe penguar në detyrë zyrtarët policorë, që po i shqiptonin një tiketë për kundërvajtje. Ai pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

E në Mitrovicë në mbrëmjen e të dielës, një person u arrestua pasi kishte penguar zyrtarët policorë edhe punëtorët e kompanisë për tërheqjen e veturave. Ai ishte ndaluar nga Policia ndërsa po drejtonte një motoçikletë për të cilën nuk kishte dokumente. Motoçikleta u konfiskua dhe gjatë konfiskimit ai pengoi zyrtarët policorë dhe punëtorët e kompanisë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.