Kronikë

Dënohen me burgim të akuzuarit për gjuajtje me armë gjatë 2019-s

Tre të akuzuarit Sh. Xh., Sh. Xh. dhe L. Q. të akuzuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm për jetën e njerëzve, janë dënuar këtë të martë nga Gjykata Themelore e Gjilanit, me nga 2 vite e 3 muaj burgim secili prej tyre.

Sipas aktakuzës ‘ata me datë 18.11.2019, rreth orës 19:00 minuta, në lagjen “Dardani”, rruga “Muharrem Ibrahimi” afër klubit të fitnesit “Parajsa”, kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve. Të akuzuarit pasi që kishin biseduar përmes telefonit me të akuzuarin L. Q., ky i fundit me të arritur në vendin e ngjarjes, ndal veturën dhe shtënë katër herë me armë-revole të markës “TT”, në drejtim të akuzuarve Sh. Xh., Sh. Xh. dhe në momentin kur i njëjti po kthehej për në veturën e tij, të akuzuarit Sh. Xh. dhe Sh. Xh. duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe të akuzuarit L. Q., kanë shtënë 3 – 4 herë me revole, të llojit “Zorak” dhe të markës “TT”. Në vendin e ngjarjes nuk ka pasur lëndime në njerëz” thuhet në aktakuzë.

Me këtë veprime sipas vendimit të gjykatës të akuzuarit Sh. Xh., Sh. Xh. dhe L. Q. dyshohet se kanë kryer veprat penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas vendimit të trupit gjykues të Departamentit të Krimeve të Rënda, ata janë dënuar me një dënim unik për secilin të akuzuar, në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e (3) muaj burgim.