Një person është arrestuar pasi në orët e hershme të mëngjesit të së martës është futur në shtëpinë e një gruaje në Gjakovë dhe duke e sulmuar, i ka grabitur gjëra materiale.
I dyshuari është hedhur mbi viktimën duke e shtrënguar për fyti dhe i ka kërkuar të holla.
“Viktima femër raporton se derisa ishte duke fjetur në shtëpinë e vet në rrugën “Shote Galica” - në Gjakovë, rreth orës 05:00 një person i dyshuar ju kishte hedhur me gjunjë në trup dhe duke e shtrënguar për fyti ia kishte kërkuar të hollat, ku kishte arritur që t’i marrë nga portofoli shumën prej 4 euro, si dhe një telefon të markës Samsung në vlerë prej 50 euro”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, për KOHËN.
Pas hetimeve, policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin dhe i njëjti është dërguar në mbajtje pasi ka pranuar veprën.
“Më pas i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. I dyshuari e kishte fytyrën të mbuluar me një kapelë në formë maske ku nuk i vërehej fytyra fare. Pas një pune operacionale hetimore është arritur që të arrestohet i dyshuari: SH. Z. i lindur 2001 i përkatësisë ashkali, i cili në prezencën e avokatit ka pranuar në tërësi veprën me të cilën akuzohej. Gjërat e grabitura si dhe kapela me të cilën dyshohet se është kryer vepra janë konfiskuar nga ana e policisë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar departamenti i krimeve të rënda, dhe me urdhër, i dyshuari ndalohet në qendrën e ndalimit”, tha tutje Gjurkaj.
Policia e ka cilësuar rastin si “grabitje”, ndërsa mbetet ende nën hetime.