Kronikë

Aheng me të shtëna në Pejë - arrestohen tre veta, lëndohet një polic

Policëve të Stacionit Policor të Pejës mesnatën e së dielës u nxori punë një dasmë që po zhvillohej në një fshat rreth katër kilometra larg nga aty.

Intervenimi i tyre në një aheng familjar rezultoi me lëndime fizike për njërin nga policët.

Pas disa të shtënave me armë në Bllagajë të Pejës, Policia e Kosovës ka intervenuar duke arrestuar 3 persona. Mes të arrestuarve e policisë pati edhe përleshje nga të cilat lëndime të lehta trupore ka marrë një zyrtar policor.

Dasma në këtë fshat po zhvillohej edhe pas orarit të lejuar nga Ministria e Shëndetësisë, në kundërshtim me masat anti-COVID, madje ora kur Policia ka intervenuar kishte kaluar mesnatën.

Nga Policia kanë konfirmuar për KOHËN se në vendin e ngjarjes është konfiskuar edhe arma me të cilën dyshohet se është shtënë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka njoftuar se me vendim të prokurorit tre të dyshuarit gjenden në paraburgim për 48 orë.

Nga ta dy janë të arrestuar për veprën penale kanosje dhe i treti për sulm ndaj personit zyrtar.

“Fillimisht Policia e Kosovës ka pranuar një informatë që në një aheng familjar ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç’rast me t’u përgjigjur vendit të ngjarjes fillimisht është arrestuar një person për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq gjatë intervenimit të Policisë së Kosovës është sulmuar një zyrtar policor me ç’rast është arrestuar edhe një person për veprën penale, sulm ndaj personit zyrtar. Ndërkaq lidhur me këtë çështje më vonë është arrestuar edhe një person për kanosje të personit zyrtar”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.

Në Kosovë ka disa raste që nga festimi me armë kanë mbetur persona të lënduar e madje edhe të vrarë.