Kronikë

Një vit burgim me kusht për mashtruesin që premtoi shërimin e një personi jashtë vendit

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar të akuzuarin A.M. me 1 vit dhe 2 mijë euro gjobë për veprën penale të mashtrimit.

Por ky vendim i gjykatës nuk do të ekzekutohet në rast se i pandehuri në afat prej dy vjet nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit nuk kryen vepër penale.

Gjykata gjithashtu ka obliguar A.M që në afat prej nëntëdhjetë (90) ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, të kompensoj dënim e shkaktuar palëve të dëmtuara dhe atë në shumë të përgjithshme prej 9 mijë e 900 euro.

Në rast se i akuzuari brenda periudhës së lartë cekur nuk e përmbush obligimin e tij, dënimi me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti, do të ekzekutohet dhe të njëjtin do ta
vuaj pasi aktgjykimi të merr formën e prerë. 

I pandehuri sipas aktakuzës akuzohet se nga muaji janar 2021 deri më 27 prill 2021, në një fshat në Ferizaj, duke u prezantuar si pjesëtar i FSK-ës dhe duke u paraqitur në mënyrë mashtruese si person qe ka mundësi të ndihmoj në shërimin e B.S. dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për t’i shkaktuar dëm material te dëmtuarave V.S dhe B.S., i mashtron të njëjtat duke u premtuar se do të ju siguroj fonde për mjekimin e të dëmtuarës B.S.

Më tutje në aktakuzë thuhet se ai u kishte paraqitur fatura viktimave , kinse të një spitali privat, duke iu thënë se është shtyrë operimi i të dëmtuarës për shkak të shpenzimeve shtesë, dhe për këtë e nxit të dëmtuarën të jap para në vlerë të përgjithshme prej nëntëmijenëntëqind (9,900) € për shpenzime të ndryshme dhe pastaj duke i gënjyer se operacioni mund të kryhet në Kosovë e jo në Turqi apo Shqipëri, siç ju kishte thënë në fillim të dëmtuarave, me ç’rast i ka dërguar të njëjtat ne një motel në Prizren qe te presin thirrjen e një doktori nga Tirana dhe i njëjti më nuk është paraqitur.