Kronikë

Plagoset një person me armë zjarri në Prishtinë

Foto: Koha

Një person është plagosur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri në rrugën “27 Nëntori”, të shtunën në Prishtinë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për KOHËN se rreth orës 12:00 të së shtunës, policia ka marrë informacionin se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në rrugën “Bajram Bahtiri”, një person i plagosur nga arma e zjarrit ka kërkuar tretman mjekësor.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore për hetimin e krimeve tilla si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare është ngritur verzioni i hetimit se në rrugën "27 nëntori" në Prishtinë, personi është plagosur me armë zjarri, nën rrethana që aktualisht janë duke u hetuar”, ka thënë Ahmeti.

Përderisa personi i lënduar po merr mjekimin e nevojshëm në QKUK, hetuesit policorë kanë nisur punën për zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të përfshirë në rast.