Kronikë

Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen në Klinë

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F.D.

‘’Për shkak të dyshimit të bazuar, me datë 16.06.2021, F.D. rreth orës 21:00, privon nga jeta personin tjetër dhe me dashje vë në rrezik jetën e personave tjerë, në atë mënyrë që, pas një konflikti verbal në mes të pandehurit dhe viktimës V.B, që kishte pasuar si rrjedhojë e një mosmarrëveshje të mëhershme mes tyre, i pandehuri nga brezi nxjerr revolen dhe me të njëjtën shtie në drejtim të viktimës, e i cili në momentin kritik ishte pothuajse ngjitur me vëllain e tij, ashtu që më pas i pandehuri me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes dhe dorëzohet pranë Stacionit Policor, ndërsa viktima dërgohet për tretman mjekësor në QKUK – Prishtinë, ku edhe pas pak çastesh gjen vdekjen, Me këto veprime i pandehuri F.D kishte për të kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji pasi që Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se kjo çështje penale është në fazën hetimor edhe pritet të dëgjohen dëshmitarët andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikoj te të njëjtit, me qëllim të zvogëlimit të përgjegjësisë së tij penale e me këtë të pengoj rrjedhë normale të procedurës penale.

Gjithashtu, Gjykata ka njoftuar se duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre dhe se raportet në mes të familjeve janë të acaruara, vlerëson se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri mund të vije deri te kryerja e ndonjë vepre të re penale andaj, mbi këto baza caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm.