Kronikë

Arrestohet shtetasi i Shqipërisë, iu gjetën mina të montuara përmes celularit

Një 33 vjeçar me inicialet E.J. nga Peza e Tiranës është arrestuar nga Policia e Shqipërisë pasi atij iu konfiskuan 2 mina me telekomandë.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit e lëndëve plasëse, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme "Shqiponjat", finalizuan me sukses operacion policor të koduar "Porosia", si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J., 33 vjeç, banues në Pezë, Tiranë” thuhet në njoftimin e policisë.

Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet policore, në vendin e quajtur "Vija e Ngjalës", në mjetin tip "Benz" me të cilin ky shtetas udhëtonte, iu gjetën 2 elektrodetonatorë të montuar në brendësi të lëndës plasëse të lidhur me celularë, të gatshme për shpërthim të kontrolluar, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ka bërë të ditur policia.

Policia është duke punuar edhe në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.