Kronikë

40 ditë paraburgim për një person që kishte kryer grabitje të armatosur në një bankë të Zvicrës

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditëve ndaj të pandehurit A.R., bazuar edhe në fletëarrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Zvicra dhe kërkesa për arrestimin dhe ekstradimin e tij, pasi dyshohet se ka kryer grabitje të armatosur në një bankë të Zvicrës.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.R.. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 (katër dhjetë ditëve) , në bazë të nenit 187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 të KPPK-së”, thuhet nga Gjykata. “Gjykata ka konstatuar se masat tjera janë të pa mjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ngase në bazë të të gjitha rrethanave prezente ekziston rreziku i ikjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe për këtë Zvicra përmes INTERPOLIT ka parashtruar fletëarrest ndërkombëtar për arrestimin e A.R, kështu që nëse i njëjti do të gjendet në liri do të arratiset dhe në këtë mënyrë do të pamundësonte procedurën e ekstradimin nga shteti kërkues”.