Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar 30 ditë paraburgim për të pandehurin A. Th, nën dyshimin se ka organizuar lojëra të fatit.
Sipas njoftimit nga Gjykata, i njëjti nga muaji qershor 2019 deri në shator të vitit 2020 ka organizuar lojëra të fatit në një lokal në zonën kufitare mes Kosovës e Serbisë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri prej muajit qershor 2019 deri më datë 18 shtator 2020, në mënyrë të vazhdueshme në lokalin “Rojall” në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë të Komunës së Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për përsonin tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit 06/L-155, ka bërë organizimin e lojërave të cilat janë të ndaluara me ligj”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).