Kronikë

Paraburgim për një person në Prizren që rrahu babanë e vëllain

arrestim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “dhuna në familje”.

Sipas njoftimit, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.L., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“I pandehuri A.L., me datë 20 prill, në orët e hershme të mëngjesit, në Prizren, në banesën e përbashkët familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, me qëllim të cenimit të dinjitetit të të dëmtuarve brenda një marrëdhënie familjare, ndaj të dëmtuarve respektivisht babait dhe vëllait të tij, në atë mënyrë pas një mosmarrëveshje paraprake pasi që të dëmtuarit tentojnë t’i japin terapinë mjekësore të pandehurit, në atë moment i pandehuri në mënyrë agresive dhe me zë të larët i drejtohet të pandehurve, më pastaj edhe i sulmon fizikisht të dëmtuarit duke i goditur me grushte si dhe duke i kafshuar me dhëmbë, me të cilat veprime tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe të shqetësimit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës gjithashtu ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim psikiatrik, ashtu që Instituti adekuat, duhet të vërtetojë faktin se i pandehuri A.L., a ka qenë në gjendje të kuptojë natyrën dhe rëndësinë apo pasojën e veprimeve në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe të konstatohet se në çfarë gjendje psikike mendore ka qenë gjatë kësaj kohe, si dhe të konstatohet se në kohën e kryerjes së veprës penale aftësia e tij mendore a ka qenë e zvogëluar.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjyqtari ka vlerësuar peshën e veprën penale, dhe rrethana tjera sikurse faktin që i pandehuri A.L., me të dëmtuari jetojnë në ambient të përbashkët, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, si dhe duke u nisur nga fakti se i pandehuri është recidivist i veprës së tillë penale, caktimi i paraburgimit është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë”, thuhet në njoftim.