Janë arrestuar dhe ndaluar pronarët e kompanive “NABS” sh.p.k. dhe “CONS ENG” sh.p.k., përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Prokuroria Themelore në Prizren ka vepruar pas mbledhjes së informacioneve lidhur me një publikim të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare “AVONET”.
“Me datë 12 prill 2021, Rrejti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, numër të prokurimit 622-20-2058-2-1-1, me titull “Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394.853.90 Euro me dokumente fiktive (jo reale)”, ku ata pretendonin se fatura e datë 01.05.2020 me nr. 1052020, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit “CONS ENG” sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit “NABS” sh.p.k.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Pas publikimit të kësaj deklarate, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informacioneve duke siguruar dosjen e tenderit dhe pas intervistimit të të dyshuarve, të njëjtit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.