Kronikë

Arrestohen 8 zyrtarë e 4 qytetarë të Ferizajt për marrje e dhënie të ryshfetit

Descriptive Text

Policia në Ferizaj ka arrestuar sot 12 persona për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e këtij qyteti të enjten.

Të arrestuarve, që janë edhe nga Drejtoria për Bujqësi e Pylltari në komunën e Ferizajt, u është caktuar masa e arrestit për 48 orë.

Ata dyshohen për “për marrje” dhe “dhënie të ryshfetit”.

Sipas njoftimit, nga të arrestuarit janë katër teknik të pylltarisë, katër rojtarë të pyjeve dhe katër qytetarë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në muajin tetor 2020, nga një sinjalizues i Institucionit të Komunës së Ferizajt, ka pranuar informacione se është duke u kryer vepra penale e ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe ‘Marrja e ryshfetit’ dhe ‘Dhënia e Ryshfetit’ nga zyrtarët e Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në komunën e Ferizajt. Ndërsa, pas vlerësimit të këtij informacioni, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, së bashku me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike ne Prishtinë dhe Njësinë e Krimeve Ekonomike në Ferizaj, Prokuroria ka konsideruar se duhet të aplikohen masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit. Ndërsa, pas aplikimit të këtyre masave disa mujore, sot më 15 prill 2020, janë arrestuar 12 persona të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.