Kronikë

Një muaj paraburgim personit që tentoi t’i jepte ryshfet policit në kufi

Një muaj paraburgim i është caktuar të pandehurit E.R., shtetas i Shqipërisë, nën dyshimin se kishte tentuar t’i jepte ryshfet një polici më 6 prill në pikën kufitare Shqipëri-Kosovë, në Vërmicë.

Sipas Gjykatës Themelore në Prizren, i pandehuri ia kishte ofruar një polici kufitar 50 euro të cilat i kishte vendosur në lejen e qarkullimit të veturës së tij.

Kur ishte pyetur përse janë ato para aty, i pandehuri dyshohet të ketë thënë “këto të holla i kam futur unë për ju, për arsye se kam ndalesë hyrje në Kosovë dhe për të më mundësuar të kaloj kufirin”.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Sipas gjykatës, ekziston rreziku që i pandehuri të arratiset nëse lihet i lirë. Gjykata në vendimin e sotëm ka marrë parasysh edhe faktin se i pandehuri është recidivist dhe kryerës i veprave të tjera dhe për këtë arsye e kishte të ndaluar hyrjen në Kosovë.