Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Komunën e Pejës pasi dyshohet për veprën penale fajde. Aksioni është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
B.U, i lindur më 1963, dyshohet se ka përfituar shuma të larta parash nga persona të ndryshëm duke aplikuar përqindje të larta interesi. Gjatë verifikimit ka rezultuar se i njëjti është përsëritës i veprave të ndryshme penale.
“Nën mbështetjen e Njësisë Speciale Operative (NJSO), sipas Urdhëresës së Gjykatës për kontroll/bastisje në pronën gjegjësisht shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të dyshuar”, thuhet në njoftimin policor.
I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.