Kronikë

Mbi tre vjet burgim për mësuesin në Pejë që ngacmoi seksualisht nxënësen

arrestim

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim mësuesin në Pejë i cili kishte ngacmuar seksualisht nxënësen.

“Me datë 27.12.2019 rreth orës 07:20 min, në Pejë, pikërisht në kabinetin e shkollës fillore, i pandehuri XH.J fillon që ta prekë për qëllime seksuale nxënësen e tij të mitur, ashtu që i njëjti një ditë më parë i kishte thënë të miturës që të vije në kabinet me qëllim që t'i ndihmojë për t'i nxjerrë mungesat dhe statistikat e suksesit, ashtu që e mitura ditën kritike pasi që arrin në shkollë, shkon në kabinet ku vjen pandehuri, i afrohet të miturës te banka dhe pa pëlqimin e saj e ngacmon, ku e mitura me forcë e shtyn të pandehurin duke e larguar nga vetja dhe me vrap del nga kabineti, shkon në shtëpi dhe njofton familjaret e saj”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime i pandehuri XH.J ka kryer vepër penale “sulm seksual”.

Gjykata njofton se të pandehurit, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre vjet e gjashtë muaj, të cilin dënim do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit e në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Të pandehurit, gjykata i shqiptoj dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës në kohëzgjatje prej pesë vjet, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

“I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej 100 euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej 50 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në njoftim.