Kronikë

Gjendet pa shenja jete personi që ishte zhdukur në Vushtrri muajin e kaluar

Është gjetur pa shenja jete një person që ishte zhdukur në Vushtrri më 9 shkurt, është njoftuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Trupi i D.S. 56-vjeçar është gjetur në fshatin Skoqne të Vushtrrisë.

“Në orët e pasdites së sotme Policia në Vushtrri ka pranuar informacion nga ana e një qytetari i cili ka informuar se në një zonë malore në fshatin Skoqne të Vushtrrisë, kishte hasur në një person të shtrirë. Njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës dhe është identifikuar nga familjarët trupi i pajetë. Viktima D. S., 56 vjeçar, që nga data 09.02.2021 ishte i raportuar si person i zhdukur në Stacionin Policor në Vushtrri. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka njoftuar Zahiti për KOHËN.