Kronikë

Një muaj paraburgim për personin që i kanosi prindërit e tij

Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj personit që kishte kanosur prindërit e tij, duke u thënë se do t’i privojë nga jeta.

A.P. më 17 mars, thuhet se në shtëpinë e përbashkët familjare, i ka kanosur prindërit, duke i thënë se do t’i privojë nga jeta apo do t’u shkaktojë dëmtime të rënda trupore, duke iu kërkuar të holla. Sipas akuzës, ai i kishte kërcënuar prindërit me fjalët: “Unë po dal në qytet, kur të kthehem nëse iu gjejë në banesë do t’iu vras”.

Gjykata Themelore e Prizrenit ka vlerësuar se masa e paraburgimit prej një muaji është e nevojshme. Masa ka hyrë në fuqi nga 17 marsi dhe do të jetë e vlefshme deri më 17 prill.

Raportohet se i pandehuri i ka kryer kërcënimet nën ndikim të lëndëve narkotike, ndërsa është edhe recidivist i veprave penale, pasi edhe në të kaluarën ishte shpallur fajtor për dhunë në familje.

“Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse duke pasur parasysh peshën e veprës penale mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, ashtu që me dashje ushtron dhunë duke i kanosur edhe me jetë prindërit e tij, gjithashtu Gjykata ka marrë parasysh edhe faktin që i pandehuri ka kryer këto veprime duke qenë nën ndikimin e substancave narkotike”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit. “Gjithashtu nga shkresat e lëndës vërtetohet se i pandehuri është recidivist i veprave penale të kësaj natyre, pasi që më herët është shpallur fajtor për veprën penale të dhunës në familje”.