Kronikë

Prokuroria për gruan që u vra nga ish-burri: Ka pasur edhe më herët raportime për dhunë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje rreth vrasjes së një gruaje në Prishtinë nga ish-bashkëshorti i saj.

Përmes një komunikate për media Prokuroria ka thënë se pas raportimit të rastit nga policia, më 03 mars të këtij viti, Policia ka iniciuar rastin “dhunë në familje”, kundër të dyshuarit (tani i ndjeri) L.S.

Sipas shkresave të lëndës rezulton se vajza e të dëmtuarës, S.S. (tani e ndjera), e para e kishte raportuar rastin në polici, e që sipas Prokurorisë, menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është intervistuar e dëmtuara S.S.,. njoftohet se ajo në deklaratën e saj ka theksuar se me këtë datë kishte pasur mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin e saj dhe i njëjti e kishte sulmuar fizikisht, por që ka refuzuar të pranojë ndihmën mjekësore pasi ka qenë diçka momentale dhe nuk dëshiron që më tutje të vazhdojë me rastin.

“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar policinë që të ndërmarrë edhe veprime tjera të nevojshme hetimore, ku është intervistuar i dyshuari, i cili e ka mohuar ta ketë sulmuar ish-bashkëshorten e tij. Për të sqaruar ende këto rrethana të ekzistimit të veprës penale, prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ashtu që, më 04.03.2021, ka ftuar në polici për deklaratë shtesë të dëmtuarën S.S., por e njëjta përsëri nuk është paraqitur në Stacion policor”, thuhet në njoftim.