Kronikë

Dështon sërish gjykimi ndaj Ukë Rugovës, një vit prej seancës së fundit

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin ku i akuzuar është Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Gjykimi do të fillojë rishtazi për shkak që në këtë rast është ndërruar trupi gjykues.

Prej seancës së fundit të mbajtur në këtë rast kanë kaluar rreth 14 muaj.

Për shkak së avokati Besnik Berisha që e përfaqëson të akuzuarin Izet Beqirin është i angazhuar në një rast tjetër, kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku, ka marrë vendim që seanca të ndërpritet.

Seanca e radhës do të jetë më 30 mars.

Ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, janë të akuzuar për krim të organizuar lidhur me vizat italiane.

Kanë kaluar gati 5 vjet prej ngritjes së kësaj aktakuze. Ajo ishte e ngritur më 16 maj të vitit 2016 dhe e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza schengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.