Kronikë

Plagosen dy persona të një kompanie të sigurimeve që po bartnin para

Foto: Koha / ilustrim

Dy punonjës të kompanisë "Besa Security" që kryen transportin e parave janë plagosur pas një sulmi me armë që ka ndodhur sot në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Sipas njoftimit të Policisë, të dy janë dërguar për trajtim në QKUK. Policia ka konfirmuar se të njëjtit kanë arritur ta kryejnë grabitjen, por e njëjta ka mbetur në tentativë dhe kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Rastin e ka konfirmuar edhe kompania "Besa Security" në Facebook.

“Rreth orës 16:45 policia ka marrë informatën për një tentim grabitje të armatosur në rrugën magjistrale Prishtine -Gjilan. Menjëherë pas informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona të dyshuar në rrethana që aktualisht po trajtohen nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po kryente transportin e parave. Për pasojë dy persona pjesë e kompanisë që po kryente transportin janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Te dyshuarit nuk kanë arritur të kryejnë grabitjen por si e tillë ka mbetur në tentativë, dhe të njëjtit kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Policia ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qellim zbardhjen e tyre dhe identifikimin e të implikuarve”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë kompania e angazhuar për bartjen e parave, Besa Security ka njoftuar se vetura e tyre është sulmuar me kallashnikov.

“Dy punonjës të TPG-së janë plagosur. Të njëjtit falë veturës së armatosur kundër kallashnikov, jelekëve antiplumb të veshur nga punonjësit tonë dhe më pas falë një veture të FKS-së që ka kaluar pas pak minutash dhe të cilët ia kanë dhënë ndihmën e parë punonjësve, sipas informatave janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftim.

Image