Është arrestuar personi i dytë në lidhje me një rast vrasje në Mitrovicë më 12 shkurt të këtij viti. B.H. 24-vjeçar është arrestuar i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e 23-vjeçarit M.K.
M. K. Kishte humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa dy persona tjerë kishin mbetur të plagosur.
“Gjatë ditës së sotme në cilësi të provës materiale, në lidhshmëri me të dyshuarin është lokalizuar vendi ku i dyshuari kishte fshehur armën, me ç’rast nga ana e hetuesve policorë është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit ‘pistoletë’ e cila dyshohet të jetë përdorur në veprën penale. Si pjesë e veprimeve hetimore deri më tani janë realizuar edhe bastisje në lokacione të ndryshme. Ndërkohë që hetuesit policorë e kanë të njohur edhe identitetin e dy personave të tjerë të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor. Hetimet janë duke vazhduar në drejtim të kapjes së të dyshuarve të tjerë dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, rajoni i Mitrovicës.