Kronikë

Në Mal të Zi sulmohet një autobus me turistë nga Kosova

Është sulmuar me gurë në Berane autobusi me turistë nga Kosova, të cilit kishin shkuar për ski në shtigjet e Kolashinit të Malit të Zi.

Lajmin e ka bërë të ditur Semir Kardovic, konsulent në një Agjenci Turistike në Rozhajë, përmes një postimi në Facebook.

Raportohet se shoferi i autobusit ka denoncuar rastin në policinë e Rozhajës. Nuk dihet se përse është bërë ky sulm, ndërsa nuk ka raportime për të lënduar.

Sulmi ndodhi në një ditë të shënuar, 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës që u festua të mërkuren.

Kardovic ka thënë se ngjarja e sotme ia kujton vitet e 90-ta, ndërsa ka bërë të ditur se policia malazeze ishte vetëm 200 metra larg vendit të ngjarjes.

Ai ka thënë se nuk është hera e parë kur janë sulmuar autobusët me turistë kosovarë që shkojnë atje për skijim.

“Absurdi më i madh në tërë këtë rrëfim është se patrulla e policisë në Berane ishte vetëm 200 metra larg vendit të ngjarjes. Dhe kur organizatorët e udhëtimit kanë shkuar ta paraqesin rastin, ata u kanë thënë se mund të vazhdojmë rrugën sepse asgjë nuk mund t’u ndihmojnë”, ka shkruar Kardovic, duke pyetur nëse ky ishte urimi i malazezëve për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Televizioni publik i Malit të Zi ka njoftuar se në Berane është sulmuar me gur autobusi i Agjencisë “Gjafa tours” dhe se policia është duke u marrë me rastin. Nuk është bërë e ditur nëse ka të lënduar.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka dënuar incidentin në Berane.

“Si rajon ne jemi përcaktuar për integrim euro-atlantik dhe Kosova nuk do të lejojë asnjë zbrazëti për minim të kësaj përpjekjeje nga lufta hibride që po bëhet ndaj shteteve anëtare dhe aleatëve të NATO-s në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur kryediplomatja e Kosovës.

Ajo më tej i ka bërë thirrje edhe autoriteteve malazeze që të ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kosovës e Malit të Zi: “I bëj thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera të kultivuara mes vendeve tona në vitet e fundit, duke marrë parasysh edhe rolin e rëndësinë e lartë të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.”/Tch