Njësia anti-drogë e Policisë së Kosovës ka sekuestruar para në valuta të ndryshme gjatë një aksioni në veri të Mitrovicës, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas njoftimit të Policisë, vlera e përgjithshme e valutave ku përfshihen euro, dollarë, franga, kruna e dinar është 135 mijë e 800 euro.
“Gjatë realizimit të operacionit policor në dy lokacione të ndryshme janë sekuestruar para në valuta të ndryshme në €uro, Dollar-$, Franga, Kruna, Dinar, sprej si dhe një sasi e substancave të dyshuara narkotike 126 gr. marihuanë e dedikuar për shitje, etj. Paratë e sekuestruara dyshohet se janë të fituara nga shitja e substancave narkotike të cilat gjendeshin të vendosura nëpër zarfe: €uro: 81.374 Dinar: 6.392.160, Dollar USA 200, Franka Zvicerane: 100, Kruna Suedeze: 300”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu janë sekuestruar edhe tri fletore ku dyshohet se i dyshuari ka mbajtur shënime në lidhje me shitjen e substancave narkotike.
I dyshuari me inicialet N.P. është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.