Kronikë

Një vit burgim personit që nën ndikim të narkotikëve ushtroi dhunë ndaj prindërve

Foto: Koha / ilustrim

Me një vit burgim është dënuar B.M. nga Gjykata Themelore e Prizrenit për kryerje të veprës penale të “dhunës në familje”. I dënuari, akuzohej se më 24 prill të 2020-s, kishte ushtruar dhunë psikike dhe ekonomike ndaj prindërve të tij.

Sipas njoftimit të Themelores, nën ndikim të narkotikëve pas një mosmarrëveshje me prindërit, i pandehuri u kishte kërkuar para dhe pasi prindërit refuzuan t’i japin, kishte nisur t’i ofendonte, shante e kanoste si dhe të gjuante me gurë në drejtim të kulmit të shtëpisë.

Ndaj tij, pos dënimit me burgim, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 24 prilli i 2020-s, është shqiptuar edhe një gjobë prej 500 euro që duhet ta paguajë për 15 ditë.

I akuzuari është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 30 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.