Kronikë

Rasti i Syleviqit “vdekje e dyshimtë” për Policinë

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës është dashur të intervenonin për të larguar trupin e pajetë të ish-pjesëtarit të Policisë, Fadil Syleviqi, i cili u gjet i vdekur në një mal, në afërsi të liqenit të Badovcit.

Të afërm të tij, që kishin qenë bashkë me Syleviqin pasditën e së premtës, kanë thënë që pati një sulm kardiak.

Mirëpo, nga ekspertët mjekësorë nuk është konfirmuar një gjë e tillë.

E policia, duke mos dhënë detaje të tjera, ka treguar se vdekjen e ka cilësuar si të dyshimtë.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, Policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqeni i Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente. Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë. Viktima është: F.S., mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës kanë shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t'ju njoftojmë me kohë, rasti është inicuar si 'vdekje e dyshimtë'”, ka thënë Bajram Krasniqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Ekipet e forenzikës e kanë bërë edhe ekzaminimin e veturës së Fadil Syleviqit që gjendej rreth 4 kilometra larg vendit ku ishte trupi i tij.

Emri i tij nuk është i panjohur për publikun.

Ndaj tij janë bërë disa herë akuza publike si bashkëpuntor i regjimit serb dhe është lidhur edhe me rastin e zhdukjes së doktorit Hafir Shala.

Pretendimet, përveç familjares Shala, i kishtë ngritur edhe Ramiz Lladrovci, tani kryetar i Komunës së Drenasit.

Pas publikimit të lajmit për vdekjen e Suleviqit, Lladrovci ka shkruar në rrjete sociale se nuk do të flasë asnjë fjalë të keqe për të vdekurin, por ka shtuar se djali dhe familja e Hafir Shalës nuk kanë vend për të vënë lule për babanë e tyre.