Kronikë

Policia bën apel që të mos lihen gjëra të vlefshme në vetura

Policia e Kosovës ka bërë apel te qytetarët që të mos lihen gjësende të ndryshme e të dukshme në brendi të automjeteve, për shkak se të njëjtat janë bërë cak i thyerjeve dhe vjedhjeve.

Sipas njoftimit nga Policia, gjatë 24 orëve të fundit ka pasur raste kur disa vetura, kryesisht me targa të huaja, u janë thyer xhamat, janë kryer vjedhje nga ato, pasi janë vërejtur gjëra të ndryshme si çanta, veshje (pallto), telefona celularë, dokumentacione të ndryshme etj, të cilat janë lënë në hapësira të dukshme brenda në automjete, të parkuara në lokacione të ndryshme.

“Andaj apelojmë tek të gjithë qytetarët, me theks të veçantë tek bashkatdhetarët, që në veturat e tyre (në pjesë të dukshme, në ulëse) të mos lënë gjëra që mund të jenë shkak që keqbërësve të thyejnë vetura për të arritur tek ato gjësende. Policia e Kosovës, vazhdon të mbetet e përkushtuar në zbardhjen e çdo rasti, në identifikimin e çdo personi të dyshuar, me qëllim për të zbatuar synimet e saja, për të ofruar siguri dhe ambient të qetë për të gjithë si dhe për të ruajtur pronat publike dhe ato private”, thuhet në njoftim.