Kronikë

Babë e bijë dyshohet se janë viktima të shkrepjes aksidentale të armës

Familja Mazreku, që jeton në rrugën “Aliriza Selmani” në Prizren, ka mbetur pa dy anëtarë të saj, të martën mbrëma. Të afërmit e tyre kanë pohuar se sebep për ngjarjen tragjike që ka sjellë trishtim në këtë lagje është bërë shkrepja aksidentale e armës së zyrtarit policor S.M., i cili, kur ka kuptuar se vajza e tij e ka humbur jetën, në vend ka vrarë edhe veten. Të mërkurën ata kanë pritur miqtë e dashamirët në të pame, ku janë shprehur ngushëllimet për humbjen e dyfishtë.

E gjithë ngjarja ka ngjallur habi si te familjarët, te fqinjët, ashtu edhe te bashkëpunëtorët e policit të ndjerë kufitar.

Sipas rrëfimit të nipit të policit të ndjerë, Mërgim Mazreku, xhaxhai i tij derisa ka qenë duke u bërë gati që të shkonte në punë, dyshohet ta ketë vrarë aksidentalisht të bijën e vet, L.M., 21 vjeçe, me armën zyrtare. Pas kësaj ngjarjeje tragjike ai ia ka marrë jetën edhe vetes.

“Sipas informacioneve që kam unë, i ndjeri ka qenë duke shkuar në punë. U përgatit për me shku në punë. Dhe t’u e kqyrë armën i ka kërsit, a nuk p’e di. Ka shku drejt në qeramikë dhe vajza ka qenë duke mbushur ujë e plumbi i ka shku në lulë të ballit. Po thonë, s’e nuk e kam pa vetë. Dhe atëherë kur e ka pa axha vajzën ka thanë: a e mbyta qikën a? Po, i kanë thanë familjarët, që kanë qenë prezentë, mandej i ka mëshu edhe vetit dhe aq, nuk di më tepër”, ka thënë Mazreku për KOHËN.

Sipas tij, ngjarja të martën mbrëma ka ndodhur në prani të familjarëve të ngushtë, të policit kufitar.

“Nuk kanë pasur telashe. Axha ka qenë njeri i urtë dhe punëtor... Po na ndodhi kjo”, është shprehur Mazreku.

Në anën tjetër, edhe hetimet janë duke u zhvilluar mbi këtë pistë, ndonëse organet përkatëse janë në pritje të rezultateve të obduksionit të trupave të pajetë, sikurse edhe të informatave të tjera për zbardhjen e rastit.

Prokuroria Themelore në Prizren gjatë ditës ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një ambient familjar dhe në prezencë të anëtarëve të familjes.

“Më datën 15.12.2020, rreth orës 19:30, jemi informuar nga Policia e Kosovës se në lagjen “Edit Durham” në Prizren, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pajetë, ku dyshohet se është përdorur arma e zjarrit. Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52-vjeçare, përkatësisht 21-vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i Policisë Kufitare. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit, e cila dyshohet se është arma zyrtare e Policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambient familjar, në prezencën e anëtarëve të familjes”, thuhet në komunikatë.

Aty theksohet se deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit dhe se Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë çuar deri në ngjarjen tragjike.

Ndërkaq të martën mbrëma zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj, nuk e pati përjashtuar mundësinë e vrasjes dhe të vetëvrasjes në këtë rast.

“Ende nuk kemi ndonjë informacion paraprak, por është mundësia edhe te vetëvrasja apo vrasja”, pati thënë Osmanollaj.

Sipas të afërmve, varrimi i dy anëtarëve të familjes Mazreku pritet të bëhet të enjten, pas përmbylljes së procedurave të obduksionit.