Kronikë

Po transportonin dy bomba me telekomandë drejt Malit të Zi, në pranga 2 durrsakë

Lezhë, 3 dhjetor - Dy persona janë arrestuar pasi tentuan të transportonin 2 bomba me telekomandë drejt Malit të Zi.

Pas një hetimi 1 mujor, policia arriti të vendosë në pranga Erol Çiçin 33 vjeç dhe Maringlen Grudën 30 vjeç të 2 banues në Durrës. Mësohet se ata kanë qenë të dënuar dhe më parë.

Ata u arrestuan në hyrje të qytetit të Lezhës tek vendi i quajtur "Rrethrrotullimi i Shëngjinit".

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e Maringlen Grudës u gjetën 2 bomba me mekanizëm shpërthimi në distancë nëpërmjet aparatit telefonik celular.

Njëra ishte me lëndë të dyshuar plasëse e llojit tritol dhe tjetra me lëndë të dyshuar si plasëse e llojit dinamit, të cilat dyshohet se do t’i trafikonin në drejtim të Malit të Zi.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” kryer në bashkëpunim. /Shqiptarja.