Kronikë

Rrahje me shufër metalike mes disa personave në Prishtinë

Paraditen e së enjtes ka ndodhur një rrahje mes disa personave në rrugën “Zenel Salihu” në Prishtinë.

Personat që u përfshinë në rrahje kanë përdorur shufër metalike.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinë, Agron Borovci tha për KP se njëri nga personat ka pësuar lëndime trupore. Ndërkaq për këtë janë arrestuar dy persona.

“Rreth orës 11:00 është raportuar për një rrahje në mes të disa personave në rrugën “Zenel Salihu” në Prishtinë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka arritur të arrestojë dy persona të dyshuar dhe të gjejë një shufër metalike që dyshohet të jetë përdorur gjatë rrahjes. Njëri nga ta ka pësuar lëndime trupore dhe aktualisht po merr tretmanin mjekësor nga ekipet mjekësore të emergjencës në stacionin policor”, tregoi Borovci.

Borovci tregoi edhe se policia ka iniciuar hetim lidhur me rrethanat që e karakterizojnë rastin. Po ashtu ai tha edhe se po punohet për të identifikuar edhe personat e tjerë që kanë qenë të përfshirë në rrahje.

“Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin dhe po punon për të identifikuar edhe personat të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast”, tha Borovci.