Kronikë

KBI në Drenas kërkon të merren masa disiplinore ndaj imamit Musliu

Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas, ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmë, ku u raportua për rrahje mes imamit Osman Musliu dhe sekretarit të KBI-së, Eset Bajraktari.

Sipas KBI-së në Drenas, Musliu ka sulmuar pa asnjë arsye sekretarin Bajraktari. Po ashtu sipas reagimit thuhet se sjelljet e tilla nga Musliu janë të shpeshta ndaj punëtorëve të KBI-së.

KBI-Drenas ka kërkuar nga Bashkësia Islame e Kosovës të merren masa disiplinore ndaj Musliut, dhe po ashtu i kanë bërë thirrje edhe Policisë që të veprojnë konform ligjeve.

“Këshilli i Bashkësisë Islame e dënon sulmin e Imamit të xhamisë së Drenasit, Osman Musliut ndaj sekretarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas. Veprimet e tilla të Imamit në fjalë janë shumë të shpeshta ndaj imamëve dhe zyrtarëve të Këshillit, për këto veprime destruktive dhe krejtësisht të ulëta, kemi reaguar edhe më herët në institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe në Policinë e Kosovës në Drenas, të dokumentuara edhe me shkresa zyrtare”, thuhet në reagim.

Tutje, theksohet se Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas kërkon nga organet e Bashkësisë Islame të Kosovës që të merren masat disiplinore ndaj Imamit në fjalë .

“Gjithashtu Këshilli kërkon nga organet kompetente të Drejtësisë që të veprojnë shpejtë dhe konform ligjeve dhe dispozitave në fuqi. Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas shpreh indinjatën e thellë për veprime të tilla, sepse kjo nuk është hera e parë që imami në fjalë pengon dhe sulmon zyrtarët e këtij institucioni. Imami në fjalë ka edhe denoncime të tjera nga po i njëjti institucion dhe që të gjitha janë të njohura për organet kompetente të Drejtësisë dhe për opinionin e gjerë”, thuhet në reagim.