Kronikë

​Kërkuan 25 mijë euro përmes Facebookut, arrestohen dy persona në Lipjan

Foto: Reuters

Policia ka arrestuar dy persona në Lipjan pasi dyshohet se kanë kryer veprat penale “Shantazh” dhe “kanosje”.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, të dyshuarit përmes rrjetit social Facebook e kanë detyruar viktimën për t’ua dhënë 25.000 euro, përndryshe do t’ia publikojnë disa fotografi të cilat ndikojnë në imazhin e tij dhe familjes.

Ata poashtu kanë kanosur viktimën se “nëse nuk u jep paratë do ta dëmtojnë atë dhe familjen e tij”.

Drejtoria për Hetime të Krimeve të Rënda në Prishtinë nën autorizimet e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar hetime në këtë rast dhe më datë 24.11.2020 rreth orës 17:25 në qytetin e Lipjanit ka arrestuar personat e dyshuar: B.SH. (viti i lindjes 1997) Lipjan, dh F. S. (viti i lindjes 1996-Mitrovicë) Lipjan.

Nga të dyshuarit janë sekuestruar tre telefona, dy I-Phone një Samsung dhe një USB në cilësi të provave materiale.

Pas kontaktit me prokurorin kujdestar në Mitrovicë, të dyshuarit është vendosur të dërgohen në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.