Kronikë

Gjendet Jetmir Rudi, personi nga Malisheva që dyshohet se ishte rrëmbyer

Descriptive Text

Jetmir Rudi nga Malisheva që thuhej se ishte zhdukur gjatë së shtunës, është bërë e ditur se është gjetur dhe kanë filluar trajtimin mjekësor ndaj tij.

Rastin për KOHËN e ka konfirmuar nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, i cili ka thënë se Rudi është gjetur para pak minutash dhe është dërguar për në QKUK.

Dyshimet e para thonë se personi ishte rrëmbyer nga disa të dyshuar. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, i ka thënë KOHËS se Jetmir Rudi ishte raportuar i zhdukur nga vëllai i tij, të dielën rreth orës 09:00.

“Ju njoftojmë se sot me datë 22.11.2020 rreth orës 09:00 në Stacionin Policor - Malishevë, ka ardhur familjari i personit të zhdukur dhe i cili njoftoi se dje me datë 21.11.2020 rreth orës 17:00 vëllai i tij J.Sh.R, lindur më 1993, kishte dalë nga shtëpia në fshatin Rud, dhe qe nga ajo kohë edhe pas kërkimit tek të afërmit e tyre, nuk kanë mundur të kontaktojnë me të. Sipas informacioneve, bëhet fjalë për kidnapim”, ka thënë Policia.

KOHA, pas konfirmimit nga nënkryetari i Malishevës se personi është gjetur, ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe të njëjtit kanë konfirmuar se Rudi është gjetur.

“Njoftoheni se rreth orës 18:00, viktima është gjetur nga familjarët e tij në hyrje të fshatit Rud. I njëjti është sjellë në QMKF-Malishevë për tretman mjekësore, e pas kontrollit fillestar është dërguar në QKUK-Prishtinë, për ekzaminim më të detajuar”, ka thënë Policia.

Jetmir Rudi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe përpos që ka qenë i shqetësuar, nuk ka pasur ndonjë lëndim trupor.

“Hetimet janë në trajtim të përshpejtuar dhe do njoftoheni me kohë për zhvillime te tjera”, thuhet tutje.