Kronikë

Dënohen me burgim dy shqiptarë për trafikim ilegalë të emigrantëve në Britani

Një grua që kishte krijuar një organizatë bamirëse false, duke e shfrytëzuar atë për të trafikuar njerëz është dënuar me burgim pesëvjeçar, shkruan gazeta “Metro”.

Pranvera S. (47), kishte krijuar një organizatë bamirëse duke thënë se me të po ndihmon azilkërkuesit shqiptarë, pasi me mashtrim kishte siguruar një grant 10 mijë funte nga “Fondi i Lotarisë së Madhe”.

Ajo e përdori pozitën e saj për të trafikuar 30 emigrantë ilegalë në muaj në Britani, dhe i detyroi ata të punonte në ferma kanabisi për të paguar për shërbimet e saj “bamirëse”.

Pranvera S., e përdori organizatën e saj “Liri për të Qëndruar”, për të detyruar emigrantët e dëshpëruar që të paguanin rreth 1000 funte për çdo “shërbim”, ku ajo tha se përfshihen benefitet, banimi dhe aplikimi për azil.

Nëna e tre fëmijëve e themeloi grupin në Birmingham në vitin 2014 dhe e udhëhoqi me partnerin e saj 44-vjeçarin Flamur D.

Ajo mendohet se ka fituar deri në 130 mijë funte nga ata, pasi ajo e përshkroi veten si “Gjyshja” e një mafie shqiptare.

Grupi i themeluar ishte një grup jo fitimprurës që kishte synim, të ndihmonte azilkërkuesit shqiptarë.

Por një hetim i policisë ka zbuluar se dyshja kishte mbajtur paratë e taksapaguesve për vete dhe klientëve u kërkonin para për ndihmë.

Shumica e tyre që erdhën përfunduan duke punuar me pagë minimale në autolarje, ndërsa disa u detyruan të punonin në ferma të kanabisit.

Njësiti i krimeve të organizuara i West Midlandsit, zbuloi se dyshja kishte trafikuar njerëz nga Shqipëria nëpërmjet kamionit duke i futur nga Belgjika.

Një 21-vjeçar ishte shpëtuar në bagazh të një kamioni në port belg më 2 korrik të këtij viti.

Janë bastisur shtëpitë e të akuzuarve, si dhe prona që Pranvera S. kishte shpenzuar rreth 30 mijë funte për t’i kthyer në restorant mesdhetar.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti ajo kishte trafikuar më tepër se 130 viktima.

Pranvera S. e Flamur D. U arrestuan dhe u akuzuan për konsipracion për të thyer ligjet e emigracionit në Britani. Pranvera S. po ashtu u akuzua për mashtrime për të siguruar grante dhe po ashtu për trafikim të kanabisit.

Flamur D. u akuzua për dilerizëm me kokainë. Të dy pranuan fajësinë. Pranvera S. u dënua me pesë vjet e katër muaj burgim, ndërsa Flamur D. me katër vjet burgim.