Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit E.J., për veprën penale “Zjarrvënia”, nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria Themelore e Mitrovicës njoftoi opinionin “se i pandehuri, më 13 qershor 2020, i shtyrë nga motive të ulëta, si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimeve në portalin ‘Jepi zë’, me dashje ka tentuar t’i vërë flakën veturës së të dëmtuarit Sh.K.”
“I pandehuri E.J., duke e ditur vendndodhjen e veturës së të dëmtuarit, fillimisht e mbush një shishe të plastikës me benzinë, e stërpikë veturën në pjesën e motorit dhe në gomën e parë të veturës, dhe me një letër të ndezur tenton t’i vërë flakën veturës, por me të dëgjuar alarmin e veturave të policisë ikë nga vendi i ngjarjes, duke mos arritur kështu ta realizojë qëllimin e tij. Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale ‘Zjarrvënia’, nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.