Kronikë

Një muaj paraburgim pronarit të kompanisë që dyshohet se vodhi 2 mln euro nga Thesari

Pronarit të LDA-Group, Kadri Shala, i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji. Këtë e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media.

Në njoftimin për media, Themelorja thotë se Shala dyshohet që ka kryer veprën pastrim parash. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri në 25 nëntor të këtij viti, ndërsa kjo masë sipas Gjykatës është caktuar pasiqë i dyshuari mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

“I pandehuri K.SH. dyshohet se së bashku me të pandehurin L.G. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kadri Shala është pronar i kompanisë "LDA Group" me seli në Llapushnik, ku dyshohet se ishin transferuar paligjshëm dy milionë euro.