Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj një personi për veprat penale “Tregti e ndaluar” dhe “Shpërlarje të parave”.
Në veturën e të pandehurit ishin gjetur 65,450 euro, të cilat ishin të padeklaruara.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri M.G. më 14.08.2020, është hasur duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, pasi që në veturën e tij janë gjetur mjete monetare të fshehura në valutën euro, të padeklaruara gjithsej gjashtëdhjetë e pesëmijë e katërqind e pesëdhjetë euro (65,450.00€ ), për të cilat mjete i pandehuri nuk i kishte deklaruar, e që janë sekuestruar nga Prokuroria Speciale sipas Urdhëresës të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti Special. Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale, ‘Tregti e ndaluar’”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Prokuroria Speciale.
Ndërsa ka tentuar t’i fshehë paratë dhe burimin nga i ka marrë, ai ka kryer veprën “Shpërlarje e parave”.
“Po ashtu, i pandehuri M.G. më 14.08.2020, duke e ditur apo duke pas arsye të dijë se ishte duke bartur mjete monetare, të fshehura në automjetin e tij, duke i pasur në posedim ka tentuar që të fshehë ose maskon natyrën e vërtetë, burimin, vend-ndodhjen, sistemimin, lëvizjen, të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, apo në çfarëdo rrethanash, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “Shpëlarja e parave’”, thuhet në komunikatë.