Kronikë

Dy të rinj vdesin në aksidente të ndara në rajonin e Mitrovicës

Në rajonin e Mitrovicës brenda 24 orëve janë raportuar dy raste aksidente trafiku me fatalitet, me ç’rast kanë mbetur të vdekur dy të rinj të moshës 21 dhe 22 vjeçare.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se dje në orën 15:50 nga Qendra Klinike Universitare Prishtinë, është raportuar se i lënduari në aksident trafiku I. D., 22 vjeçar, që ishte në tretman mjekësor, ka ndërruar jetë.

Tutje Policia shton se rasti në fjalë është kualifikuar si ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

“Aksidenti ka ndodhur më 22 dhjetor 2020, në ora 10:05 në rrugën ‘Ajet Gërguri’ Vushtrri, ku vozitësi humb kontrollin mbi veturën dhe shkakton vet-aksident”, thuhet në njoftim.

Kurse rasti i dytë ka ndodhur sot në orën 02:45 në rrugën nacionale Zubin Potok- Mitrovicë, në fshatin Zhabar, ku për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me kushter e rrugës, vozitësi ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka shkaktuar vet-aksident.

“Si pasojë e aksidentit, pasagjeri A.Sh., 21 vjeçar, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa vozitësi dhe dy pasagjerët tjerë pas marrjes se trajtimit në Spitalin rajonal Mitrovicë janë liruar në shtëpi”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti është kualifikuar si ‘aksident trafiku me fatalitet’ ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Policia shton se hetuesit e Stacionit Policor-Vushtrri dhe njësisë së trafikut rajonal, nën udhëheqjen e prokurorëve të rasteve, janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me aksidentet me pasojë fataliteti.