Kronikë

Arrestohen dy shqiptarë e një vietnamez pasi shndërruan një klub nate në fermë kanabisi në Angli

Tre persona janë arrestuar në qytetin anglez Coventry, në mesin e tyre dy shqiptarë, për kultivimin e kanabisit.

Policia britanike njoftoi se ka zbuluar një fermë gjigande artizanale kanabisi, të shtrirë në 3 katet e një ish-klubi nate, që menaxhohej nga dy shqiptarë dhe një vietnamez.

Punishtja me më shumë se 1,000 rrënjë kanabisi me vlerë rreth 1 milion funte, është zbuluar kur oficerët thyen dyert e përforcuara të ndërtesës gjatë operacionit të realizuar, njofton Coventryobserver dhe BBC. 

Dy të dyshuar tentuan të largohen prej aty, të cilët u gjurmuan më pas me dronë nga autoritetet dhe u arrestuan.

Policia u shpreh e habitur nga përmasat e “fermës” me teknika të sofistikuara kultivimi, mbjelljeje dhe ujitjeje, të realizuara me pajisje me vlerë më shumë se 150,000 funte.

Të tre të akuzuarit dolën sot para gjyqit fillestar ku morën masën e paraburgimit për prodhim të drogave të kategorisë B (dytësore).

Shqiptari Andi Qani, 24 vjeç, dhe vjetnamezi Cao Van Vu, 31 vjeç, do të dalin përsëri në gjyq në 12 nëntor. Ndërsa 28 vjeçari shqiptar Adrian Lieshaj, rezultoi i kërkuar edhe në Gjermani për grabitje dhe është objekt ekstradimi atje, prandaj është dërguar në Londër.

Komandanti i policisë Adam Warnock tha se “Ky është një sekuestrim i konsiderueshëm drogash me pasoja për grupet e krimti të organizuar, duke u hequr atyre mjete dhe fitime të konsiderueshme”.

“Kjo është sigurisht një nga zbulimet më të mëdha të këtij lloji me teknika të sofistikuara në tre kate të një ndërtese të madhe”, shtoi ai.

{gallery}