Kronikë

Policia demanton mediat serbe se në Plemetin pati tentim-kidnapimi të një 9-vjeçari

Policia e Kosovës ka mohuar atë që është shkruar ne mediat serbe, sot e dje, se në fshatin Plemetin të Obiliqit, të martën ndodhi një tentim-kidnapimi të një fëmije serb – 9 vjeç.

Policia përmes një njoftimi të bërë të mërkurën, ka thënë se menjëherë i është përgjigjur thirrjes së prindit të 9-vjeçarit dhe pas intervistimeve dhe shikimit të kamerave të sigurisë, ka konstatuar se deklaratat dhe gjendja faktike në terren nuk përputhen.

Policia njofton se prindi i 9-vjeçarit ka thënë se bëhet fjalë për tentim-kidnapimi, pasi ka parë të birin teksa kthehej në shtëpi duke vrapuar. Kjo ka bërë që mediat serbe të shkruajnë për tentim-kidnapimi të fëmije serb.

“Lidhur me informacionet e publikuara në mediat serbe, që sipas tyre, në fshatin Plemetin të Obiliqit ka ndodhur një tentim-kidnapimi, ndaj një fëmije 9 vjeçar ju njoftojmë se këto publikime janë të pasakta dhe me tendenca dashakeqe për qëllime të caktuara që nuk i shërbejnë ruajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë së përgjithshme për të cilën Policia e Kosovës po punon me përkushtim dhe profesionalizëm”, është thënë nga Policia.

Policia sqaroi se prindi i fëmijës nuk ka dashur as të hapë rastin.

“Më 29.09.2020 rreth orës 14:00, Policia ka pranuar një informatë nga një qytetar serb i Kosovës me banim në fshatin Plemetin të Obiliqit, lidhur me dyshimet për tentim të kidnapimit të fëmijës së tij. Policia e Kosovës ka ndërmarr veprimet e menjëhershme duke dërguar njësinë policore së bashku me hetuesit policor, të cilët kanë kontaktuar dhe biseduar me palën ankuese lidhur me thirrjen telefonike. I njëjti ka njoftuar se fëmija i tij kishte ardhur në shtëpi duke vrapuar, ku sipas tij, një veturë ishte ndalur pranë tij dhe fëmija është frikësuar, nga se sipas tij kishin tentuar ta fusnin në veturë. Zyrtarët policorë në prezencën e prindit kishin zhvilluar një bisedë verbale me fëmijën, ku deklarata dhe informacionet e tija ishin kundërthënëse dhe jo kredibile, të cilat ngjallnin dyshime”, thuhet ndër të tjera në raportin e Policisë.