Kronikë

Arrestohet një person i dyshuar për falsifikim të parave, kishte përgatitur 50.000 euro për treg

Foto: Koha / Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një person për falsifikim të parasë. Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, Policia përmes rrugëve operative me datë 16.09.2020 ka pranuar informacione se një person i dyshuar është duke prodhuar para të falsifikuara në bankënota pesë, dhjetë dhe 20 euro.

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative, ku dhe është kuptuar se personi i dyshuar me inicialet L. A mashkull/ kosovar është në përgatitje të një shume prej 50.000 euro para të falsifikuara, për t’i lëshuar në treg.

Njoftohet se në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kompetent dhe gjyqtari i procedurës ku nga dhe është dhënë urdhër verbal për kontrollim të lokacionit ku dyshohej se po prodhoheshin paratë e falsifikuara.

Gjatë realizimit të kontrollit në lokacionin e dyshuar njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar:

Një printer së bashku me pesë euro të ngjitura në faqen printuese, 65 copa letër A4 me para të falsifikuara në të dy anët, 202 copa letër A4 me nga pesë euro në të dy anët, 44 kartëmonedhë nga 20 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, 74 kartëmonedha nga 10 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, 160 kartëmonedha nga 5 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, një kartëmonedhë prej 50 euro që dyshohet se është e falsifikuar, foli me shenjë të sigurisë së parave dhe dy telefona celular.

Pas kontrollit i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është intervistuar, në konsultim me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i dyshuari dërgohet në ndalim për 48 orë.

{gallery}