Kronikë

Grabitje e armatosur në një pikë derivatesh në Prishtinë

Një person është arrestuar në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, pasi është raportuar për një grabitje të armatosur në një pikë derivatesh në lagjen Veternik.

Rastin e ka konfirmuar për Kohën, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti. Ajo ka thënë se Policia ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar.

“Mbështetur në rezultatet fillestare të hetimit dyshohet se personi i dyshuar nën kërcënimin e armës (me forcë duke i shkaktuar lëndime viktimës), ka arrit të merr një sasi të parave dhe është nisur të largohet nga vendi i ngjarjes, por menjëherë njësitet policore janë vënë në ndjekje të tij. Ka qenë aksioni i shpejtë i policisë ai që ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar vetëm pak minuta pas raportimit të rastit”, ka thënë ajo.

Sipas njoftimit, personit të dyshuar policia i ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të parave, dy telefona, një çantë.

“Po ashtu lidhur me këtë rast policia ka sekuestruar për ekzaminim veturën të cilën po e drejtonte i dyshuari . Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë rast”, ka thënë tutje Ahmeti.