Kronikë

Gjermanja, e mashtruar nga banda në Kosovë, bëhet pjesë e skemës së mashtrimit

Një gjermane raportohet se ishte mashtruar nga një bandë nga Kosova, duke u bërë më pas edhe vetë skemë e mashtrimit. Sipas “Bild”-it gjerman, madje edhe gjyqtarit “ka shprehur keqardhje për naivitetin e treguar prej saj”.

Më 2017, kjo gjermane e kishte pranuar një telefonatë. Asaj i ishte thënë se i kishte fituar gjysmë milioni euro në “Euromillion”. Por, i duhej të përmbushte disa kushte: paratë ishin të mbyllura në një valixhe dhe çelësi mund t’i dërgohej asaj pasi që do ta paguante noterin. Kështu, Veronica B. do të duhej t’i transferonte paratë ose drejtpërsëdrejti në Kosovë, ose duke paguar kuponë. E pagesat do të shtoheshin, duhej ta paguante edhe TVSH-në. Përmes telefonit i vinin gjithnjë kërkesa të reja.

Si tha avokati i saj mbrojtës, Michael Lowe: “Telefonatat i vinin pothuajse çdo ditë. Asaj i dërgoheshin fotografi të valixhes dhe vazhdonte të paguante. Kur mbeti pa para, i biri i saj e mori një kredi prej 25.000 eurosh, një fqi ia huazoi 16.000 euro dhe një e afërm 30.000 euro. Të gjitha i transferoi në Kosovë. Gjithsej rreth 100.000 euro”.

Në një pikë, asaj iu duk e tepërt. Kur e thirrën sërish, e kërkoi shumën që e kishte fituar, apo të paktën ato para që i kishte dërguar në Kosovë.

Si ka thënë avokati, gjermanes i thanë se do t’i merrte këto para, por duhej të bënte diçka për to. Duhej të mblidhte para nga të moshuarit dhe t’i dërgonte në Kosovë. Ajo u qetësua.

Me kostot e veta, Veronika B. udhëtoi nëpër Gjermani, kryesisht për të parë pensionistët. Atyre iu prezantua si notere apo “zyrtare e tatimeve”. Sepse tash duhej t’ua nxirrte nga xhepat paratë atyre që u thoshte se kanë fituar llotari, me pretendime për kosto shtesë.

Prokuroria në përgjithësi ka regjistruar në total 16 raste. Veronika B. mori bizhuteri, monedha ari dhe para të gatshme në vlerë rreth 40 mijë euro. Viktima më e vjetër e saj ishte një 90-vjeçare. Gjërat e vjedhura i dërgonte Veronika B. në Kosovë. Më 14 maj të vitit 2019 ajo u arrestua dhe urdhri për arrest u pezullua më pas. Përsëri u paraqitën mashtruesit nga Kosova, dhe përsëri Veronika B. besoi çdo gjë, çfarë iu tha.

“Kësaj radhe ishin njerëz tjerë, që i thanë, se ata tjerët ishin mashtrues. Tash po punohet me policinë së bashku, dhe se duan të kapin këta persona”, thotë avokati mbrojtës i Veronika B.

Veronika B. duhej të bënte edhe disa punë, që i bëri menjëherë. Pesë pensionistë të moshës nga 66 deri 83 vjet ranë në kurth në mashtrimin se kanë fituar lotari, më pas punëtorja u arrestua për herë të dytë. Edhe kësaj radhe ajo kishte dërguar të gjitha për në Kosovë.

“Është e tmerrshme se sa budallaqe kam qenë”, ka thënë Veronika B. gjatë procesit. Avokati i saj flet për pasojat e këtij mashtrimi. “Ajo është në borxhe të mëdha, bashkëshorti është divorcuar nga ajo për shkak të situatës financiare. Edhe marrëdhënia me të birin është e rëndë. Të gjithë e dinë në fshat se çfarë ka bërë”, thotë avokati.

Ndaj këtij naiviteti nuk kanë dashur të jenë të rreptë as prokurori publik e as gjyqtari. Pas një marrëveshje ligjore, të gjithë palët e përfshira ranë dakord për një dënim me kusht.