Katër persona janë arrestuar për dhunë në familje, në Prishtinë dhe në Gjakovë.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh bën të ditur se tre raste janë në Prishtinë e një në Gjakovë.
Në Gjakovë është arrestuar një burrë me dyshimin se në gjendje të dehur dje kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka refuzuar të marrë tretman mjekësor, derisa i dyshuari është dërguar në mbrojtje, transmeton KOHA.
Kurse në Prishtinë dje “është arrestuar i dyshuari, i cili e kishte kanosë me jetë bashkëshorten e tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, rasti vazhdon të hetohet”.
E poashtu në Prishtinë dje është arrestuar një burrë pasi kishte fyer dhe kishte tentuar që ta largojë bashkëshorten e tij nga banesa, bën të ditur Policia.
“I dyshuari dyshohet se kishte ushtruar dhunë edhe më herët ndaj viktimës dhe i njëjti me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thotë PK.
Kurse në një rast tjetër në kryeqytet është arrestuar një burrë për sulm ndaj bashkëshortes dhe dy vajzave të tij, njëra prej tyre e mitur.
“Si pasojë e sulmit viktimave u është ofruar tretmani mjekësor, kurse i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thotë PK.