Kronikë

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një kosovareje për pjesëmarrje në luftën e Sirisë

Foto: Driton Paçarada / Koha

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një gruaje për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.

Aktakuza është deponuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ndaj të pandehures me inicialet V.I. rëndon aktakuza për pjesëmarrje në luftën në Siri.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura ka shkuar në Siri duke ndjekur rrugën Maqedoni – Suedi – Turqi. Këtë rrugë e ka bërë së bashku me bashkëshortin, por ajo është riatdhesuar në Kosovë më 2019, pasi që ishte arrestuar nga forcat siriane.

“Prokuroria Speciale njofton se e pandehura më 03.11.2014, me paramendim dhe me dashje së bashku me bashkëshortin e saj S.N., kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që përmes vend-kalimit kufitar, Hani i Elezit, kanë udhëtuar për në Shkup – Republika e Maqedonisë dhe të nesërmen me autobus kanë udhëtuar për në Suedi, e që pas 2 muajve qëndrim, përmes lidhjeve të caktuara me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ‘ISIS’ në Siri nga Aeroporti i Stokholmit, me aeroplan, kanë udhëtuar për në Stamboll, më pas janë transportuar në qytetin Gazientep, afër kufirit me Sirinë, ku edhe nga ana e pjesëtarëve të ISIS-it, janë transportuar në qytetin Sedel Faruk”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, ajo në Siri është angazhuar në logjistikë, si përgatitje e ushqimit, pastrim i rrobave dhe të tjera.

“Është financuar nga ISIS me shumën e të hollave prej 150 dollarë në muaj dhe më pastaj në vitin 2018, është arrestuar nga forcat demokratike siriane dhe më 19.04.2019, është riatdhesuar në Kosovë. Me këto veprime e pandehura ka kryer veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’ nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.