Kronikë

Suspendohet polici në Drenas për “komente në Facebook”

Policia e Kosovës njofton se lidhur me rastin e publikimit/komentimit përmes rrjetit social Facebook nga një zyrtar policor për rajonin e Drenicës, janë ndërmarrë masat e menjëhershme dhe i njëjti është suspenduar dje.

I njëjti B.D, është suspenduar pas komenteve të ngjashme si “A dini qysh mundet Kosova m’u bë me kopsht zoologjik për një kohë të shkurtër – Veç e rrethekon Drenicën n’tela”.

Ky koment i tij bëri që të reagojë PK-ja dhe ta suspendojë. Policia thotë se ndër vite ka ndërtuar imazh dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjithë qytetarët.

“Zyrtari policor duhet të veprojë në pajtim me legjislacionin në fuqi, kodin e etikës dhe rregullat e sjelljes dhe kryerjes së detyrave policore. Për Policinë e Kosovës është i papranueshëm çfarëdo veprimi i cilit do zyrtarë policor i cili bie ndesh me parimet udhëzuese dhe udhëheqëse të Policisë, integritetin personal dhe institucional, vlerat etike, vlerat e organizatës, ndershmërinë dhe përgjegjësinë për shërbim ndaj publikut”, shkruan ai.

Policia thotë se realizimi i detyrave dhe përgjegjësive policore karshi vendit dhe qytetarëve, përfshirë bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin, mbetet qëllim primar i Policisë së Kosovës dhe në ç’do rast ku mund të paraqiten shkelje të procedurave dhe rregullave policore do të merren masat e nevojshme.